Mektebet u paraqitën që në shekujt 7 - 8. Pastaj, me përhapjen e Islamit, këto shkolla u bartën nga Arabia në vendet e Azisë së Mesme, e më pas, sidomos me fuqizimin e Perandorisë Osmane, mektebet u përhapën edhe në disa vende të Evropës. Tek ne, të tilla ka patur mjaft. Deri në vitin 1912 i gjejmë në të gjitha viset që ishin nën administrimin osman, ndërsa me ndërprerje kanë punuar edhe deri në vitin 1918 dhe në mes të dy luftërave botërore.[2]
Një shkollë të tillë në fshatin Bresanë të Opojës (atëherë qyteza e Zinovës) në vitin 1529 e kishte themeluar vakëflënësi i madh Mehmed Kuklibeu.[3] Ai madje pranë kësaj shkolle themeloi edhe bibliotekën, të cilën e shfrytëzonin jo vetëm mësuesit, por edhe të interesuar të tjerë. Kuklibeu mësuesin e këtij mektebi e paguante 2 akçe në ditë dhe repetitorin 1 akçe në ditë.[4]
Edhe poeti dhe historiani Suziu nga Prizreni, në vitin 1531 kishte themeluar një mekteb të tillë, në të cilin ai vetë ishte mësues.[5]
Mektebet, pas xhamive dhe mesxhideve, në Kosovë, njihen ndër institucionet edukativo-arsimore më të shumta dhe më të vjetra, saqë nuk kishte lagje në qytet a në fshat që nuk kishte një apo më shumë mektebe[6]. Ato pra, janë të vjetëra sa edhe xhamitë.
Shpesh në llojin e mektebeve themelore gjendej edhe sibjan mektebi (tur. sibyan mektebi, që d.m.th. shkollë e fëmijëve), përkatësisht shkolla fillore dominante fetare[7], të cilat më së shumti hapeshin në meset e fshatrave, ku nuk kishte kushte për hapjen e shkollave të tjera të nivelit më të lartë (mekteb-iptidaije a medrese). Këso lloj shkollash në Kosovë kishte mjaft, sidomos në kohën e Jugosllavisë së Vjetër, ndërmjet viteve 1931 - 1935, kur edhe fituan të drejtën e shkollave fillore private.[8]
Në kohën e Mbretërisë Serbo-Korate-Sllovene, në Kosovë vepruan disa sibjan mektebe. Mirëpo, këto institucione fetare islame në periudhën e sundimit të kësaj Mbretërie nuk patën jetë të rehatshme, sepse qarqet qeveritare pengonin me të madhe veprimtarinë e këtyre shkollave, për se ato patën edhe ndërprerje të kohëpaskohshme, madje disa prej tyre edhe u ndërprenë fare. Mbyllja e këtyre institucioneve ishte e karakterit thjesht politik, sepse, sipas qarqeve qeveritare, tek nxënësit e këtyre shkollave po zgjohej me të madhe vetëdija kombëtare, ndërsa mësuesit e tyre cilësoheshin si njerëz shumë të rrezikshëm.[9]
Kështu, sipas raporteve të inspektorit të Ministrisë së Arsimit, më 1923, thuhej: "Në radhët e shqiptarëve po zgjohet më të madhe vetëdija kombëtare...", prandaj:"Do vërtetuar se në ç'gjuhë mësojnë nxënësit në sibjan mektebe... Po duket se shqiptarët i kanë hapur sytë dhe në këto mektebe kanë filluar të punojnë në gjuhën amtare"[10]etj.
S'ka dyshim se kjo ishte e vërtetë, ngase imamët, myderrizët dhe mualimët e këtyre shkollave, krahas punëve të fesë, vepronin edhe në rrafshin kombëtar, krahas elifit, nxënësve të tyre u mësonin edhe abecenë. Dhe, ndonëse mësimin në këto shkolla ata e zhvillonin në gjuhët arabe e turke, megjithatë, komentimin e bënin në gjuhën shqipe.[11] Prandaj, në zanafillën e arsimit të shqiptarëve të Kosovës në gjuhën shqipe, rol të caktuar kishin mektebet, të cilat, edhe pse nuk kishin të bënin shumë me shkollat e mirëfillta kombëtare shqiptare, ngase aty kryesisht merreshin njohuri për mësimbesimin fetar islam, ato kishin rëndësinë e vet në kultivimin e dashurisë ndaj gjuhës shqipe dhe për ruajtjen e saj dhe, në mungesë të shkollave të tjera, ato u shndërruan në shkolla popullore.
Kjo e pengonte pa masë pushtuesin, prandaj do të shtoheshin presionet ndaj mualimëve të mektebeve, ndërsa këto institucione do të kontrolloheshin rregullisht dhe pa ndarë, megjithëse ato asnjëherë nuk mund të mbaheshin nën kontroll.
Kështu, pas një vizite të bërë nga një komision në vitin 1925, duke parë se mualimët komentimet i bënin në gjuhën shqipe, këta vizitorë të paftuar kishin shkuar shumë të revoltuar. Në raportin e tyre, përveç të tjerash, shkruhej: "Në orët e mësimit flitet në gjuhën shqipe. Është vështirë të kuptohet së çfarë mësohet aty. Kjo mënyrë e organizimit të mësimit nuk jep kurrfarë mundësish që këto shkolla të mbahen nën kontroll".[12]
Hapja e këtyre shkollave, në fillim përbënte një si kundërreagim ndaj hapjes së shkollave serbe. Sepse pushteti serb, pranë çdo shkolle, natyrisht serbe, hapte edhe një kishë, fakt ky që shkaktonte shqetësim të arsyeshëm të shqiptarëve, sepse këto dy institucione serbe, ushtronin lloj-lloj presionesh mbi shqiptarët. Të shtyrë nga këto rrethana, shqiptarët nxituan dhe hapen mektebe pa pritur fare leje nga askush.[13]
Përderisa në Mbretërinë SKS shkollat fetare islame, pra edhe mektebet, nuk patën një zhvillim normal, dhe patën ndërprerje pune të kohëpaskohshme, megjithatë, me konstituimin e Mbretërisë Jugosllave në dhjetor 1929, gjendja e shkollave fetare do të ndryshon për të mirë në janar 1930, kur u miratua Ligji i Bashkësive Fetare Islame (BFI). Në nenin 18 të këtij ligji thuhej se hapja e shkollave fetare si dhe emërimi i mësimdhënësve të tyre janë në kompetencë të BFI-së.[14]
Ndonëse me aprovimin e këtij ligji mendohej se shkollat fetare islame kishin arritur një pavarësi të plotë, megjithatë, praktika e dëshmoi të kundërtën. Organet shtetërore filluan prapë të ndërhynin, sidomos ministria e arsimit, e cila përsëri impononte planet dhe programet mësimore në këto shkolla. Kriteret që i saksiononte kjo ministri për hapjen e shkollave e vështirësonin shumë punën. Mirëpo, me ndërhyrjen e Ulema Mexhlisit (Kuvendi i Ylemave) të Shkupit, ishte arritur një marrëveshje për zbutjen e këtyre kritereve. Tani jo vetëm që po zgjerohej rrjeti i këtyre institucioneve, por po bëheshin përpjekje edhe për arritjen e një autonomie të tyre. Pas një kohe të shkurtër, me vendimin e Ministrisë së Drejtësisë, nr. 17531, dt. 5 mars 1931, Bashkësia e Fesë Islame dhe institucionet shkollore të saj fituan një autonomi të plotë.[15] Prandaj, që nga viti 1933 - 1934 në territorin e sotëm të Kosovës filluan të hapeshin me të madhe mektebet, si në fshatra ashtu edhe në qytete, në të gjitha ato vende që ishin të banuara me myslimanë. Në këtë kohë bëhet edhe (ri)emërimi i një numri të konsiderueshëm të mualimëve-mësimdhënësve të këtyre mektebeve.
Edhe në rrethin e Prizrenit, në të cilin bënin pjesë rrethi i Sharrit, me seli në Prizren, rrethi i Podgorës, me seli në Suharekë, dhe rrethi i Gorës, me seli në Dragash, u (ri)hapën një numër i madh i mektebeve, madje më shumë se në të gjitha trevat e tjera të Kosovës.
Udhëheqja, mikëqyrja dhe organizimi i mësimit fetar në këto shkolla bëhej, përmes imamateve të xhematit-imamëve ofiqarë, nga ana e Komisionit të Vakëf Mearifit të Rrethit të Prizrenit, i cili varej nga Ulema Mexhlisi i Shkupit.
Në vitin 1938 Drejtorati i Vakëfeve Mearife në Shkup, të gjitha komisioneve të vakëfeve-mearife të rretheve në territorin e vet (ky Drejtorat përfshinte 42 komisione të vakëfeve mearife të rretheve, 11 prej të cilëve i përkitnin Kosovës) u kishte dërguar nga një Pyetësor, me të cilin kërkoheshin të dhëna për mektebet dhe nëpunësit fetarë. Një i tillë, së bashku me formularët që duheshin plotësuar, i qe dërguar edhe Komisionit të Vakëf-Mearifit të rrethit të Prizrenit, i cili më pas ato ua kishte dërguar imamateve të xhematit-imamëve ofiqarë për t'i plotësuar. Sipas atij pyetësori, imamët ofiqarë, përveç të tjerash, duhej t'u përgjigjeshin edhe pyetjeve: për emrin dhe vendin e mektebit; a është mektebi i djemve, i vajzave apo i përzier; sa rrugë, mëhallë a fshatra përfshin ai mekteb; cilat janë mektebet tjera në atë xhemat; pronë e kujt është ndërtesa e mektebit; me se është e ndërtuar dhe në çfarë gjendjeje është ajo; sa dhoma ka, prej tyre sa për mësim dhe sa për nevoja të tjera; a u përgjigjet kushteve pedagogjike-hixhienike ndërtesa e mektebit; kur është ndërtuar ajo; a ka banesë për mualimin dhe sa dhomëshe është; mektebi a ka oborr të vetin dhe sa metra katror është ai; sa kohë zgjat mësimi; kur mbahet mësimi; a është mektebi njëvjeçar apo dyvjeçar; kush e mban atë; sa është numri i përgjithshëm i fëmijëve të regjistruar në vitin shkollor 1938/39, sa klasa ka; sa nxënës, prej tyre sa djem e sa vajza; a ka banka, tabela dhe mjete të tjera shkollore; a ka vakëf të vetin dhe nga se përbehet ai; emri dhe mbiemri i nëpunësit dhe titulli i tij në mekteb; numri dhe data e dekretit të Ulema Mexhlisit, me të cilin është emëruar ai; nga kush paguhet dhe sa paguhet në muaj-vit; çfarë kualifikimi ka; a kryen ndonjë shërbim tjetër përveç detyrës së mualimit,[16] etj.
Gjatë hulumtimeve[17], kemi gjetur përgjigjen e Komisionit të Vakëf Mearifit të rrethit të Prizrenit, përkatësisht imamëve zyrtarë të këtij Komisioni, të cilët na japin të dhëna me rëndësi për aktivitetin e sibjan mektebeve të Prizrenit me rrethinën më 1938 - 1939. Të dhënat që ofrojnë këto dokumente, kujtojmë, janë me interes dhe shërbejnë për njohjen sa më të mirë të aktivitetit të sibjan mektebeve. Sidomos janë me rëndësi për ata që nesër do të shkruajnë historinë, rriten dhe zhvillimin e këtyre shkollave fetare-kombëtare në këto anë.
Duke iu referuar këtyre të dhënave, mësojmë se shumica e ndërtesave të mektebeve ishin pronë e fshatit, disa të Mexhlisit të Xhematit e ndonjë edhe të Vakëfit. Ato ishin të ndërtuara si edhe të gjitha ndërtesat e tjera të asaj kohe, me gurë, me baltë, me qeramidhe, me rrasa etj.
Gjithashtu mësojmë se pjesa dërrmuese e mektebeve ishin në gjendje të mirë dhe, me ndonjë përjashtim, të gjitha u përgjigjeshin kushteve pedagogjike-hixhienike, dhe kishin një apo më shumë dhoma mësimi. Prandaj, si të tilla, këto shkolla nuk ishin të prapambetura dhe pa kurrfarë kushtesh për mësim, siç ishte traditë të thuhej në të kaluarën për këto shkolla, sepse shumica e mektebeve, sipas dokumenteve të kohës, përmbushnin nevojat e duhura shkollore: banka, tabela, karriga etj., ndonëse, dorën në zemër, kishte ndonjë aty-këtu që edhe të mos kishte të tilla mjete, që ishte normale për atë kohë.
Me rëndësi të veçantë është viti i ndërtimit të mektebeve, edhe pse aty, për disa mektebe nuk shkruan se kur ishin ndërtuar saktësisht, por thuhet se mektebi është ndërtuar para kaq vjetësh, ndërsa për disa të tjera shkruan saktësisht se kur ishin ndërtuar. Prandaj, viti i ndërtimit a i rindërtimit, gjë që në dokumente nuk thuhet qartë, kujtojmë, më shumë ka të bëjë me vitin e ndërtimit të objekteve të mektebeve sesa me themelimin e mektebeve, ndonëse kjo nuk vlenë për të gjitha. Sidoqoftë, kjo e dhënë mbetet për t'u konfirmuar ndonjëherë tjetër.
Një pjesë e mektebeve, shkruan në dokumente, kishin edhe oborr të vetin dhe banesë për mualimin, ndërsa disa të tjera oborrin e kishin të përbashkët me atë të xhamive.
Duke i lexuar këto të dhëna, mësojmë gjithashtu se mësimi në shumicën e këtyre mektebeve zhvillohej gjatë tërë ditës dhe zgjaste nga fillimi i shtatorit e deri në fund të qershorit -10 muaj, ndërsa dy muajt e tjerë ishin pushime. Kishte mektebe një - dhe dyvjeçare, shumicën e të cilave i mbanin vetë qytetarët, ndërsa ndonjë prej tyre edhe Vakëfi, posaçërisht ato të qytetit të Prizrenit. Në disa mektebe, përveç nxënësve të rregullt, mësimet i kanë ndjekur edhe banorë të tjerë të rritur.
Sipas këtyre dokumenteve, mësojmë edhe për emrin dhe mbiemrin e 58 mualimëve-mësimdhënësve që shërbenin atë kohë në mektebe, dhe titullin e tyre, pastaj për kualifikimet e tyre si dhe dekretin me të cilin ishin emëruar në atë detyrë nga Ulema Mexhlisi i Shkupit. Disa prej tyre, shkruan aty, përveç detyrës së mualimit, kryenin edhe detyra të tjera, si të imamit, mësuesit të fesë në shkollat fillore etj. Shumica e tyre kishin mbaruar tërësisht shkolla të ndryshme që vepronin atëbotë në vend dhe jashtë, si: medresenë, mektebin iptidai, ruzhdinë (gjimnazin e ulët) apo darul-mualiminë (shkollën e mësuesisë), ose kishin mësuar disa vite në ato shkolla. Për disa jepet edhe emri dhe vendi i shkollës në të cilën ata kanë mësuar, ndërsa për të tjerët thuhet se kishin mësuar në medrese, pa e thënë se në cilën medrese kishin mësuar apo kishin diplomuar.
Ata nëpunës (mualimë) të cilët nuk mund ta dëshmonin apo nuk kishin kualifikimin adekuat, po ishin kandidatë për titullin mualim, sipas dokumenteve të kohës, duhej t'i shtroheshin provimit profesional, para komisionit të përbërë nga myftiu i rrethit, kryetar, një myderriz i njohur dhe kryetari i Komisionit të Vakëf Mearifit të rrethit, anëtarë.
Kandidati merrej në provim në këto lëndë:
Lexim i drejtë i Kur'anit fisnik
Akaid islam (Dogmatika islame)
Ibadat
Kitabun-nikah
Ahlak (Etika islame)
Njohja dhe shkrimi i drejtë i shkronjave arabe (shkrimit arab)
Histori islame
Pedagogji dhe metodikë e mësimit fetar
Bazat e higjienës[18]
Duke i lexuar dokumentet në fjalë, mësojmë se rrethi i Sharrit së bashku me qytetin e Prizrenit, në vitin shkollor 1938/39, kishte gjithsej 24 mektebe, prej tyre 17 të përziera dhe 7 të djemve. Nga këto 23 ishin aktive, ndërsa 1 joaktiv. 19 prej tyre ishin mektebe dyvjeçare, ndërsa 5 ishin njëveçare. Në klasë të parë mësimet i vijonin 397 djem e 166 vajza, ndërsa në klasë të dytë 219 djem e 85 vajza, gjithsej mësimet i vijonin 867 nxënës.
Rrethi i Gorës kishte numër më të madh të mektebeve - 31 sosh, prej tyre 27 të përziera dhe 4 të djemve. 26 ishin aktive, ndërsa 5 joaktive. 21 prej tyre ishin mektebe dyvjeçare, ndërsa 10 njëvjeçare. Mësimet në këto mektebe gjatë vitit 1938/39 i vijonin: në klasë të parë 428 djem e 180 vajza, ndërsa në klasë të dytë 254 djem e 121 vajza, gjithsej 983 nxënës.
Rrethi i Podgorës ndërkaq, ishte rrethi me numrin më të paktë të mektebeve - me vetëm 8 sosh, 4 prej tyre të përziera dhe 4 të djemve. 6 prej tyre ishin aktive, ndërsa dy jo. 4 ishin mektebe dyvjeçare dhe po aq ishin mektebe njëvjeçare. Në klasë të parë mësimet i vijonin 136 djem e 5 vajza, ndërsa në klasë të dytë 39 djem e 3 vajza, gjithsej 183 nxënës. Ky rreth kishte numrin më të paktë të nxënësve që vijonin mektebet, sidomos të vajzave, në 4 mektebe të përziera, sa kishte gjithsej ky rreth, mësimet i vijonin vetëm 8 vajza.
Siç po shihet, në rrethin e Sharrit, të Gorës dhe të Podgorës, në vitin shkollor 1938/39 kishte gjithsej 63 mektebe, 48 prej tyre të përziera dhe 15 të djemve; 55 prej tyre ishin mektebe aktive, ndërsa 8 joaktive; 44 ishin mektebe dyvjeçare dhe 19 mektebe njëvjeçare. Mësimet në klasë të parë i vijonin 961 djem e 351 vajza, ndërsa në klasë të dytë 512 djem e 209 vajza, në këto mektebe kishte gjithsej 2.033 nxënës.
Paraqitja e këtyre të dhënave në mënyrë tabelare duket kështu:
Rethi
Nr.mektebeve
të djemve
të përziera
njëvjeçare
dyvjeçare
aktive
joaktive
Klasa I
Klasa II
gjithsej nxënës
d.
v.
d.
v.
Sharrit
24
7
17
5
19
23
1
397
166
219
85
867
Gorës
31
4
27
10
21
26
5
428
180
254
121
983
Podgorës
8
4
4
4
4
6
2
136
5
39
3
183
Gjithsej
63
15
48
19
44
55
8
961
351
512
209
2.033
Pas këtij vështrimi, në vazhdim (për shkak të natyrës së revistës) sa për ilustrim po japim dokumentet e përkthyera në mënyrë integrale vetëm për 5 mektebe të qytetit të Prizrenit, 3 të Opojës dhe 2 të rrethit të Podgorës, gjithsej 10 (për mektebet e tjera mbetët të shkruajmë ndonjëherë tjetër), ashtu si janë të shënuara në dokumentet në fjalë, pa bërë ndonjë shënim plotësues.
1. Sibjan mektebi i Emin Pashës - Prizren
Gjendet në Prizren dhe është mekteb i tipit të përzier. Përfshin këto lagje: të Mehmed pashës, të Saraçhanës, të Haxhi Ramadanit, të Levishës, të Dragomanit dhe lagjen e Kurrillës. Mektebi i takon xhematit të Bajraklisë, në të cilin gjendet edhe mektebi i Haxhi Ramadanit. Ndërtesa e mektebit është pronë e Vakëfit. Është ndërtuar nga materiali solid - me gurë dhe horasan. Ka tri dhoma, dy prej të cilave shërbejnë për mësim, ndërsa njëra për zyrë të mualimit. Ndërtesa u përgjigjet kushteve pedagogjike-higjienike. Është e ndërtuar në vitin 1932. Nuk ka banesë për mualimin. Ka oborrin e përbashkët me xhaminë. Nuk ka vakëf të vetin. E mban Komisioni i Vakëf-Mearifit të Prizrenit. Viti shkollor zgjat nga shtatori e deri në fund të qershorit. Është mekteb dyvjeçar. Në vitin shkollor 1938/39 ka gjithsej 142 nxënës, prej tyre 81 djem dhe 61 vajza. Në klasën e parë ka 41 djem e 26 vajza, gjithsej 67. Në klasën e dytë 40 djem e 35 vajza, gjithsej 75 nxënës. Mektebi përmbush kërkesat e duhura shkollore. Nëpunës në këtë mekteb janë: Fejzullah Mehmedi, sibjan mualim dhe hafiz Beqir Kurtishi, gjithashtu sibjan mualim. Fejzullah Mehmedi është i dekretuar nga Ulema Mexhlisi me nr. 6398, dt. 16 janar 1936, ndërsa hafiz Beqir Kurtishi ende nuk ka marrë dekret. F. Mehmedi paguhet nga Drejtoria e Vakëfeve (në Shkup-S.M.) 400 dinarë, ndërsa hfz. B. Kurtishi nuk merr asgjë.
F. Mehmedi ka të mbaruar darul-mualiminë, ka ehalijetnamen (diplomën për sheh-S.M.), ka mbaruar iptidainë dhe ka mësuar disa vjet në medrese. Është imam në xhaminë e Arastës (në Prizren-S.M.). Ndërsa hafiz B. Kurtishi ka mësuar disa vjet në medrese dhe është imam në xhaminë e Emin pashës (në Prizren-S.M.).
2. Sibjan mektebi i Haxhi Kasëmit - Prizren
Gjendet në Prizren. Është mekteb i tipit të përzier. Përfshin mëhallën e Haxhi Kasëmit, mëhallën e Sozisë dhe mëhallën e Terzisë. I takon Xhematit të Sozisë-Prizren, nën jurisdiksionin e të cilit xhemat gjendet edhe mektebi i Myderrizit. Ndërtesa e mektebit është pronë e Mexhlisit të Xhematit. Ajo është e ndërtuar nga materiali i dobët, por është në gjendje të mirë. Ka vetëm një dhomë për mësim. Ajo u përgjigjet kushteve pedagogjike-higjienike. Është ndërtuar në vitin 1934. Nuk ka banesë për mualimin. Nuk ka oborr të posaçëm, por gjendet në oborrin e xhamisë (së haxhi Kasëmit-S.M.). E mbajnë prindërit e nxënësve dhe Komisioni i Vakëf-Mearifit (të Prizrenit-S.M.). Mektebi punon tërë ditën. Është mekteb dyvjeçar. Viti shkollor zgjat nga fillimi i shtatorit deri në fund të qershorit. Në vitin shkollor 1938/39 ka gjithsej 44 nxënës, prej tyre 40 djem e 4 vajza. Në klasën e parë ka 15 djem e 3 vajza, gjithsej 18, ndërsa në klasën e dytë 25 djem e 1 vajzë, gjithsej 26. Mektebi përmbush kërkesat e duhura shkollore. Por ai nuk ka vakëf të vetin. Nëpunës në këtë mekteb është Hasan Dauti, sibjan mualim. Është i dekretuar nga Ulema Mexhlisi me nr. 20, dt. 02 shkurt 1935. Mualimi paguhet nga prindërit e nxënësve 100 din. në muaj. Ka të mbaruar iptidainë, rushdinë dhe darul-mualimin. Është edhe imam i xhamisë me të njëjtin emër.
3. Sibjan mektebi i Myderriz Efendisë - Prizren
Gjendet në Prizren. Është mekteb i tipit të përzier. I takon xhematit të Sozisë-Prizren, ku gjendet edhe mektebi i haxhi Kasëmit. Ndërtesa e mektebit është pronë e Mexhlisit të Xhematit. Ajo është e ndërtuar nga materiali i dobët, por është në gjendje të mirë. Ka një dhomë që u përgjigjet kushteve pedagogjike-higjienike. Është ndërtuar në vitin 1934. Nuk ka banesë për mualimin. Nuk ka as oborr të vetin, por gjendet në oborrin e xhamisë. E mbajnë prindërit e nxënësve dhe Vakëf-Mearifi. Viti shkollor zgjat nga fillimi i shtatorit e deri në fund të qershorit. Punohet gjatë tërë ditës. Edhe ky është mekteb dyvjeçar. Në vitin shkollor 1938/1939 ka gjithsej 46 nxënës, prej tyre 29 djem e 17 vajza. Në klasën e parë 10 djem e 7 vajza, gjithsej 17, ndërsa në të dytën 19 djem e 10 vajza, gjithsej 29. Mektebi përmbush kërkesat e duhura shkollore, por ai nuk ka vakëf të vetin. Nëpunës në këtë mekteb është Hëzër Jusufi, sibjan mualim. Është i dekretuar nga Ulema Mexhlsii me nr. 2162, dt 02 nëntor 1934. Ai paguhet nga prindërit e nxënësve 150 dinarë në muaj. Ka të mbaruar iptidainë dhe darul-mualimin. Nuk ka detyrë tjetër, pos të mualimit.
4. Sibjan mektebi i haxhi Ramadanit - Prizren
Edhe ky mekteb gjendet në Prizren dhe është i tipit të përzier. Përfshin lagjen e Haxhi Ramadanit, të Saraçhanës, të Atik Xhamisë, të Sozisë dhe të Levishës. I takon xhematit të Bajraklisë, nën jurisdiksionin e të cilit gjendet edhe mektebi i Emin pashës. Ndërtesa e mektebit është pronë e Vakëfit. Është e ndërtuar nga materiali i dobët dhe është në gjendje mesatare. Ka dy paralele, njëra prej të cilave shërben për mësim, ndërsa e dyta për zyrë të mualimit. Ndërtesa u përgjigjet kushteve pedagogjike-higjienike. Ajo është ndërtuar në vitin 1934. Nuk ka banesë për mualimin. Oborri i xhamisë njëkohësisht është edhe oborri i mektebit. Viti shkollor zgjat nga fillimi i shtatori deri në fund të qershorit. Mësimi zhvillohet gjatë tërë ditës. Mektebin e mban Komisioni i Vakëf-Mearifit (i Prizrenit). Është mekteb dyvjeçar. Në vitin shkollor 1938/39 janë regjistruar gjithsej 38 nxënës, 27 djem e 11 vajza. Në klasën e parë 18 djem e 9 vajza, gjithsej 27, ndërsa në klasën e dytë 9 djem e 2 vajza, gjithsej 11. Mektebi përmbush kërkesat e duhura shkollore. Nëpunës i këtij mektebi është Sylejman Rexhepi, sibjan mualim. Është emëruar me vendimin e Ulema Mexhlisit të Shkupit me nr. 274, dt. 12 prill 1934. Ai paguhet nga prindërit e nxënësve nga 5 dinarë në muaj. Ka diplomën e shkollës fillore dhe diplomën e rushdisë (gjimnazi i ulët- SM). Nuk kryen ndonjë shërbim tjetër, përveç të mualimit.
5. Sibjan mektebi i Jeni Mahallës - Prizren
Gjendet në Lagjen e Re (Jeni Mahalla) të Prizrenit. Është mekteb i tipit të përzier. I takon xhematit të Jeni (Mahallës) dhe përfshin lagjen e Jeni Mahallës, lagjen Atik, lagjen Ahmed Beg dhe lagjen Budak Hoxha. Në këtë xhemat nuk ka mekteb tjetër. Ndërtesa e mektebit është pronë e Komisionit të Vakëf-Mearifit. Është e murosur mirë dhe është në gjendje solide. Ka vetëm një dhomë, e cila shërben për mësim. U përgjigjet kushteve pedagogjike-higjienike. Nuk dimë se kur është ndërtuar ajo. Nuk ka banesë për mualimin. Oborrin e ka të përbashkët me atë të xhamisë (së Jeni Mahallës-S.M.). Viti shkollor zgjat nga shtatori deri në fund të qershorit. Mësohet gjatë tërë ditës. Është mekteb dyvjeçar. E mban Komisioni i Vakëf Mearifit. Në vitin shkollor 1938/39 ka gjithsej 25 nxënës, prej tyre 17 djem e 8 vajza. Në klasën e parë 9 djem e 5 vajza, gjithsej 14, ndërsa në klasë të dytë 8 djem e 3 vajza, gjithsej 11 nxënës. Mektebi përmbush kërkesat e duhura shkollore. Nuk ka vakëf të vetin. Nëpunës në këtë mekteb është Zekrija Behaiu, sibjan mualim. Është i dekretuar nga U. Mexhlisi me nr. 611, dt. 07 qershor 1937. Nuk ka rrogë. Ka dëftesën e darul-mualimit, dëftesën e shkollës fillore dhe dëftesën e rushdisë. Nuk ka detyrë tjetër, pos të mualimit.
Vërejtje: Duke pasur parasysh faktorët e lartshënuar, është e nevojshme që Mexhlisi i Xhematit të japë një ndihmë për të blerë edhe disa banka, të cilat janë jashtëzakonisht të nevojshme. Ndërkaq, sa i përket mualimit, ai deri më tani ka punuar me një përkushtim të madh dhe ka treguar sukses të jashtëzakonshëm, për se kërkojmë nga Ulema Mexhlisi që këtë ta ketë parasysh dhe këtij punëtori të zëllshem t'i japë çfarëdo ndihme mujore.
6. Sibjan mektebi i Kukit - Opojë
Gjendet në fshatin Kuk. Është mekteb i djemve, i cili përfshin vetëm fshatin Kuk. I takon xhematit të Bresanës, nën jurisdiksionin e të cilit gjenden edhe mektebi i Bresanës dhe ai i Pllajnikut. Ndërtesa e mektebit është pronë e fshatit. Është e ndërtuar me gurë dhe është në gjendje të mirë. Ndërtesa e mektebit në kompleksin e vet ka dy dhoma: një për mësim dhe një për nëvoja të tjera. Ajo u përgjigjet kushteve pedagogjike-higjienike dhe është ndërtuar në kohën e Turqisë. Ndërtesa nuk ka banesë për mualimin. Mektebi nuk ka oborr të vetin. Viti mësimor në këtë mekteb zgjat nga 1 shtatori deri në fund të qershorit. Mësimi në mekteb zhvillohet gjatë tërë ditës. Është mekteb dyvjeçar. Mektebi mbahet nga vetë fshatarët. Në vitin shkollor 1938/39 në këtë mekteb ka të regjistruar gjithsej 55 nxënës, të gjithë djem, prej tyre 25 në klasën e parë dhe 30 në klasën e dytë. Mektebi ka banka, tabelë dhe mjete të tjera shkollore. Ai nuk ka vakëf të vetin. Nëpunës në këtë mekteb është Rexhep Mehmedi[19], me titull sibjan mualim. Mualimi është i dekretuar nga Ulema Mexhlisi i Shkupit me vendimin nr. 1212, dt. 19 qershor 1934. Mualimi paguhet nga fshati 200 dinarë në vit. Ai ka mbaruar 5 vite të medresesë dhe përveç punës së mualimit nuk kryen ndonjë detyrë tjetër.
7. Sibjan mektebi i Bresanës - Opojë
Gjendet në fshatin me të njëjtin emër. Është mekteb i djemve. Përfshin fshatin Bresanë dhe Kuklibeg që i takojnë xhematit të Bresanës, nën jurisdiksionin e të cilit bëjnë pjesë edhe mektebi i Kukit dhe i Pllajnikut. Ndërtesa e mektebit është pronë e fshatit. Është e ndërtuar me gurë dhe është në gjendje të mirë. Ka dy dhoma: një për mësim dhe një për nevojat tjera. U përgjigjet kushteve pedagogjike-higjienike. Është ndërtuar në kohën e Turqisë. Nuk ka banesë për mualimin, e as oborr të vetin. Viti shkollor zgjat nga fillimi i shtatorit deri në fund të qershorit. Mësohet gjatë tërë ditës. Është mekteb dyvjeçar. E mbajnë fshatarët. Në vitin shkollor 1938/39 ky mekteb ka gjithsej 60 nxënës, prej tyre 25 djem në klasë të parë dhe 35 djem në klasë të dytë. Mektebi disponon të gjitha mjetet e duhura shkollore. Ka vakëfin e vet, katër livadhe dhe një arë. Buxheti i mektebit në vitin 1938/39 është 600 dinarë nga të ardhurat e katër livadheve dhe të arës, të cilat i jepen mualimit si shpërblim. Nëpunës në këtë mekteb është haxhi Rexhep Ismaili, myderriz, mualim. Është i dekretuar nga Ulema Mexhlisi i Shkupit me vendimin nr. 2470, të dt. 19 shtator 1933. Paguhet 600 dinarë në vit nga Mexhlisi i Xhematit. Ka kualifikimin e myderrizit dhe posedon ixhazetnamen (diplomën e "Mehmed Pashës".- S.M.). Përveç si mualim ai është edhe myderriz i medresesë së Bresanës.
8. Sibjan mektebi i Blaçit - Opojë
Gjendet në fshatin me të njëjtin emër. Është mekteb i tipit të përzier. Përfshin vetëm fshatin Blaç. I përketë xhematit të Kosavës me qendër në Blaç, në kuadër të të cilit gjenden edhe këto mektebe: i Zaplluxhes, i Kosavës, i Kaprës, i Rrencit dhe i Radeshës. Ndërtesa e mektebit është pronë e fshatit. Ajo është e ndërtuar nga materiali i fortë dhe është në gjendje të mirë. Ka vetëm një paralele për mësim, e cila nuk është sa duhet e ndritshme, prandaj si e tillë nuk i plotëson plotësisht kushtet pedagogjike-higjienike. Është e ndërtuar në vitin 1934. Mektebi nuk ka banesë për mualimin dhe nuk ka as oborr dhe as vakëf të vetin. E mbajnë vetë fshatarët. Viti shkollor zgjat nga shtatori deri në fund të qershorit. Mësimi zhvillohet gjatë tërë ditës dhe është mekteb njëvjeçar. Në vitin shkollor 1938/39 ka gjithsej 26 nxënës, prej tyre 18 djem e 8 vajza. Mektebi përmbush të gjitha kërkesat e duhura shkollore. Nëpunës në këtë mekteb është Rexhep Arifi, me titull sibjan mualim. Ai sapo është emëruar në këtë detyrë, prandaj dhe nuk ka dekret. Paguhet nga banorët me prodhime bujqësore në vlerë prej 600 din. në vit. Ka mbaruar tri klasa të medresesë dhe nuk ka detyrë tjetër përveç të mualimit.
Vërejtje: Ish-mualimi i këtij mektebi, Nuredin Abdyli, ka vdekur kohë më parë, kështu që Mexhlisi i Xhematit ka propozuar si nëpunës në këtë mekteb Rexhep Arifin.
9. Sibjan mektebi i Studençanit -rrethi i Podgorës
Gjendet në fshatin Studençan. Përfshin vetëm këtë fshat, i cili i takon xhematit të Studençanit, në të cilin gjendet edhe mektebi i Leshanit dhe i Debredelanit. Është mekteb i djemve. Ndërtesa e mektebit është pronë e fshatit. Është e ndërtuar nga materiali i fortë dhe është në gjendje të mirë. Ka vetëm një dhomë për mësim. Ajo u përgjigjet kushteve pedagogjike-higjienike. Është ndërtuar në vitin 1922. Nuk ka banesë për mualimin, as oborr dhe a vakëf të vetin. Viti shkollor zgjat prej shtatorit deri në fund të qershorit. Mësohet gjatë tërë ditës. Është mekteb njëvjeçar. E mbajnë fshatarët. Në vitin shkollor 1938/39 në këtë mekteb ka gjithsej 22 djem, të gjithë në klasë të parë. Mektebi përmbush të gjitha kërkesat e duhura shkollore. Nëpunës i mektebit është Salih Mustafa, mualim. Është i dekretuar nga U. Mexhlisi i Shkupit me nr. 3233/33, dt. 22 shtator 1933. Paguhet nga fshatarët me prodhime bujqësore-600 dinarë në vit. Ka mbaruar 3 klasa të medresesë. Përveç detyrës së mualimit, është edhe mësues i fesë në Studençan.
10. Mektebi i Greçevcit - rrethi i Podgorës
Gjendet në fshatin me të njëjtin emër. Është mekteb i tipit të përzier. Përfshin fshatrat Greçevc dhe Çadrak, që i takojnë xhematit të Bllacës. Ndërtesa e mektebit është pronë e qytetarëve të Greçevcit. Ajo është e ndërtuar nga materiali i fortë dhe është në gjendje të mirë. Ka vetëm një dhomë që shërben për mësim. U përgjigjet kushteve pedagogjike-higjienike. Ndërtesa e mektebit është ndërtuar në vitin 1936. Ajo nuk ka banesë për mualimin dhe as oborr të vetin. Mektebi gjendet nën të njëjtin kulm me xhaminë. Viti shkollor zgjat nga 01 shtatori deri më 28 qershor. Mësohet gjatë tërë ditës. Është mekteb dyvjeçar. E mbajnë qytetarët e Greçevcit dhe të Çadrakut. Në vitin shkollor 1938/39 në këtë mekteb ka gjithsej 35 nxënës. Prej tyre 30 djem e 5 vajza, të gjithë në klasë të parë. Mektebi nuk ka vakëf të vetin. Ai nuk ka banka, tabelë e as mjete të tjera shkollore. Nëpunës në këtë mekteb është Osman Abdullahu, sibjan mualim. Është emëruar me propozimin e Bashkësisë Fetare Islame të Ulema Mexhlisit të Shkup, me nr. 6422, dt. 28 dhjetor 1936. Paguhet nga prindërit e nxënësve 600 dinarë në vit. Mualimi ka të mbaruar medresenë e Mehmet pashës në Prizren. Shërben prej kohësh si imam privat i fshatit Greiçevc.
Shënime
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Akademik Jašar Redžepagić, Razvoj i obeležja turski škola na teritoriji današnje Jugoslavije do 1912. godine, "Studije", Priština, 1988, str. 52.
[2] Po aty, f. 53.
[3] Arkivi i Kosovës, Fondi Sresko Vakufsko-Mearifsko Poverenstvo- Prizren, k. 15, dok. 603, 1939.
[4] Hasan Kaleši, Ismail Redžep, Prizrenac Kuklibeg i njehove zadužbine, POF, VII-IX, Sarajevo, 1960, str. 147. Si dhe: Nehat Krasniqi, Mehmed Kuk-libegu- legatori më meritor për zhvillimin ekonomik dhe kulturo-arsimor të Opojës në shek. XVI, "Dituria Islame", nr. 97, Prishtinë, 1998, f. 47.
[5] Hasan Kaleši, Najstariji vakufski dokumenti u Jugoslaviji na arapskom jeziku, Priština, 1972, str. 14.
[6] Dr. Jashar Rexhepagiqi, Zhvillimi i arsimit dhe i sistemi shkollor të kombësisë shqiptare në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918, Prishtinë, 1970, f. 33.
[7]Akademik Jašar Redžepagić, Razvoj i obeležja turski škola, vep. cit., f. 53.
[8] Mr. Avzi Mustafa, Shkollat fetare, "Hëna e Re", nr. 39, Shkup, 1992, f. 17.
[9] Dr. Hakif Bajrami, Qëndrimi i Jugosllavisë Monarkiste ndaj arsimit dhe kulturës së shqiptarëve në Kosovë (1918-1941), "Kosova", nr. 12, f. 201, Prishtinë, 1983.
[10] AJ, f.MP,ON. Iz izveštaja inspektora škole Kosovske Oblasti poslat Ministarstvu Prosvete u Beogradu 1923, Cit. sipas Dr. Abdulla R. Vokrri, Shkollat dhe arsimi në anën e Llapit brenda viteve 1878-1944, Prishtinë, 1997, f. 77.
[11] AJ, f.MP, fig. 66, d. pov.br. 62/7.XI.1919. Po aty, f. 74.
[12] AJ, f.MP, fig. 66, k. 59, pov. 1969/13-III-1925; pov. 7, k 13, 1923 pov.129 / 24.II.1924; pov. 606/22.VIII.1927.br. 62/7.XI.1919.
[13] Dr. Abdulla R. Vokrri, Shkollat dhe arsimi, vep. cit. f. 74.
[14] Po aty, 89.
[15] Po aty, f. 88. Krh. Haki Kasumi, Shkollat fetare islame ndërmjet dy luftërave botërore, "Gjurmime albanologjike", SSHH, XII, Prishtinë, 1983, f. 159.
[16] Arkivi i Kosovës, Fondi: Sresko Vakufsko-Mearifsko Poverenstvo- Prizren, kutia 15, dok. 603, 1939.
[17] Dokumentet janë hulumtuar në Arkivin e Kosovës dhe gjenden në Fondin Sresko Vakufsko-Mearifsko Poverenstvo- Prizren, kutia 15, dok. 603, 1939.
[18] Arkivi i Kosovës, F. Sresko Vakufsko-Mearifsko Poverenstvo-Prizren, k. 7. dok. 590, 1935.
[19] Sipas kujtimeve të ish-nxënësve të këtij mektebi, në këtë mekteb jozyrtarisht ka dhënë mësim edhe i ati i Rexhep efendiut, ixhazetliu i medresesë së famshme "Emin Pasha" të Prizrenit, myderrizi i shquar, hoxha i madh i Kukit, Mehmed ef. Ramadani, i cili ka qenë edhe imam i fshatit. Mulla Mehmedi ishte i njohur sidomos për leximin e Kur'anit dhe për përgatitjen e hafëzëve, prandaj ky mekteb ishte një si "darul-kurra" - shkollë për leximin e drejtë të Kur'anit fisnik.
