Ebu'l-Hasan Ali ibn Ismail El-Esh'ari ishte lindur në Basra rreth vitit 260 h./873 dhe ndërroi jetë në Bagdad në vitin 324 h./935. Ai ishte themeluesi i një prej shkollave kryesore teologjike islame që mban emrin e tij. Ebu'l-Hasan, siç njihej, ishte pasardhës i Ebu Musa El-Esh'ariut, sahabiut të mirënjohur të Pejgamberit. Nuk ka shumë informacione rreth jetës së tij. Babai i tij ndërroi jetë kur el-Esh'ariu ishte shumë i ri. Kur nëna e tij u martua me Ebu Ali El-Xhubbaiun, një teolog mu'tezili i mirënjohur dhe kreu i shkollës në Basra, Esh'ariu u rrit nga Xhubbai i cili e prezantoi atë me teologjinë mu'tezilite. Ai po ashtu studioi hadith (traditën pejgamberike) dhe fikh (ligjin islam) me dijetarë të ndryshëm në Basra.
Rreth vitit 300 h./912 kur ai ishte një mbrojtës kryesor i shkollës mu'tezilite dhe pasardhës i mundshëm i pozitës së Xhubaiut, Esh'ariu e braktisi shkollën mu'tezilite dhe deklaroi që i është bashkuar njerëzve të traditës (ehl'us-sunna) dhe pranoi besimet e selefit (të parëve) që përfaqësohej nga figura si Ahmed ibn Hanbelit dhe dijetarë të tjerë të traditave pejgamberike (hadithit). Sipas një transmetimi tjetër, diskutimet e tij me Xhubbaiun rreth fatit të tre vëllezërve, njëri prej të cilëve vdiq si njeri i devotshëm, tjetri si njeri i ligë, dhe i treti si fëmijë, është arsyeja pse ai braktisi mu'tezilizmin. Pas konvertimit të tij, Esh'ariu shkoi në Bagdad ku kaloi pjesën tjetër të jetës së tij. Atje ai mori pjesë në debate me mu'tezilet, të krishterët, çifutët dhe magët (mexhus). Ai vazhdoi të shkruaj një numër librash dhe të mësojë studentë. Ebu'l-Hasan El-Bahili, Ibn Muxhahid Tai, Bundar ibn Husejn Esh-Shirazi dhe Ebu Zejd El-Mervezi ishin disa prej nxënësve të tij më të rëndësishëm.
Ndonëse ai kishte një dije të thellë të degëve të ndryshme të shkencave islame, Esh'ariu u bë i famshëm në fushën e teologjisë. Duke kundërshtuar racionalizmin e mu'tezilëve, Esh'ariu së pari deklaroi që ai pason fideizmin e Ahmed ibn Hanbelit, dhe pastaj provoi të mbështes besimet e tij me argumente racionale. Ndonëse kishte disa mendimtarë që provuan të aplikojnë argumente racionale në mbrojtje të doktrinave fetare para tij, Esh'ariu, me ndihmën e prapavijës së tij mu'tezilite, e përdori këtë metodë në mënyrë më të suksesshme. Kur'ani, që është të folurit e përhershëm, është i pakrijuar. Cilësitë e veprimit, si krijimi dhe furnzimi nuk janë të përhershme, përndryshe duhet të pranohet përhershmëria e botës, e cila është e pamundshme.
Për Esh'ariun natyra e fytyrës së Zotit, ose e duarve të Tij, ose të ulurit e tij në fron nuk mund të kuprohen. Esh'ariu nuk i interpreton këto shprehje, por mendon që ato nuk mund të kuptohen tekstualisht, pasi që Zoti nuk është qenie trupore. Ngjashëm, për të, Zoti do të shihet në botën tjetër, por pasi që Ai nuk është trupor, natyra e saktë e këtij shikimi nuk mund të dihet. Për Esh'ariun, veprimet njerëzore janë nga vullneti i Zotit dhe janë krijuar nga Zoti përmes një fuqie të krijuar te njeriu para secilit veprim. Si rezultat i kësaj force, qenia njerëzore është e përgjegjshme për veprimet e tij. Veprimet nuk janë të mira ose të këqija në vetvete por për shkak të vullnetit të Zotit. Nuk duhet të ketë një urtësi prapa këtyre veprimeve, pasi që asgjë nuk mund ta bëj të domosdoshme që Zoti të veprojë në atë mënyrë. Esh'ariu pranon atomizmin e shkollës mu'tezilite. Atomet mund të bashkohen dhe të formojnë trupa vetëm përmes vullnetit dhe fuqisë së Zotit. Si pasojë e mirësisë së Zotit, ai mund të zgjedh cilindo njeri si Pejgamber. Për Esh'ariun mrekullitë janë treguesi kryesor i besueshmërisë së pejgamberit.
Çështjet eskatalogjike mund të njihen vetëm përmes shpalljes hyjnore, ndonëse realiteti i tyre nuk mund të mohohet racionalisht. Besimi konsiston në pranim dhe nuk përfshin shprehjen e jashtme. Ndonëse mëkatari mund të ndëshkohet, ai mbetet besimtar. Qeniet njerëzore nuk marrin shpërblime për shkak të veprimeve të tyre por për shkak të mirësisë së Zotit. Esh'ariu mendon që halifati bazohet në zgjedhjen e komunitetit jo në përcaktimin e autoritetit. Qëndrimet e Esh'ariut janë zhvilluar dhe në disa raste modifikuar nga përfaqësuesit e mëvonshëm të shkollës së tij.
Esh'ariu prodhoi një numër veprash në degë të ndryshme të shkencave islame, ndonëse vetëm disa prej tyre na kanë arritur. Vepra e tij Mekalat el-islamijjin (Mësimet e muslimanëve) mund të konsiderohet kryevepra e tij. Në këtë vepër, ai së pari jep një raport objektiv të qëndrimeve të sekteve muslimane. Pastaj të sekteve jo-muslimane, dhe të filozofëve. Dhe në fund ai ofron një diskutim kritik të emrave të cilësive të Zotit. Me gjasë është shkruar gjatë periudhës së tij mu'tezilite dhe pastaj është modifikuar pak. Kjo vepër u bë model për vepra të ngjashme që u prodhuan pas saj. Në El-Lum'a (Dritat), ai diskuton çështjet si cilësitë e Zotit, përcaktimin (kader), dhe çështje tjera dogmatike. Në El-Ibanetu an usul'id-dijaneh (Sqarimi i bazave të fesë), ai përsëri diskuton çështje teologjike. Në Risaletu fi istihsan'il-havd ifi ilm'il-kelam (Trajtesa mbi lejueshmërinë e kelamit), ai mbron përdorimin e kelamit dhe metodave racionale të tij. Në Risale ila ehl'is-sagir (trajtesë drejtuar popullit të kufirit), ai ofron një listë të parimeve dogmatike mbi të cilat janë pajtuar selefi.
Ebu'l-Hasan El-Esh'ari përfaqësoi një pikë kthyese në historinë e Islamit Sunit. Shkolla që u themelua nga ai u bë një prej shkollave kryesore teologjike të Islamit sunit. Ndonëse në disa çështje qëndrimet e tij janë modifikuar, përfaqësuesit e mëvonshëm të shkollës së tij kryesisht ndoqën qëndrimet e tij dhe mbrojtën bazat e tyre racionale.
Përktheu:
Fatih Ibrahimi
Literatura:
Risala fi istihsan al-hawd fi 'ilm al-kalam (Treatise on the Permissibility of Dealing with the Science of Kalam), ed. and trans. R. McCarthy in The Theology of al-Ash'ari, Beirut: Imprimerie Catholique, 1953.
Al-Luma' (The Lights), ed. and trans. R. McCarthy in The Theology of al-Ash'ari, Beirut: Imprimerie Catholique, 1953.
Maqalat al-islamiyyin (Accounts of the Muslims), ed. H. Ritter, Wiesbaden: Franz Steiner, 1963.
Al-Ibana an usul al-diyana (The Elucidation of Islamic Foundations), ed. F. H. Mahmud, Cairo, 1987; trans. W. Klein, New Haven, American Oriental Society, 1940.
Risala ila ahl al-saghr (Treatise to the People of Saghr) (Usul Ahl al-Sunna wa'l Jama'a), ed. M. S. al-Jalyand, Cairo: Kulliyya Dar al-Ulum, 1987.
Watt, W. Montgomery, The Formative Period of Islamic Thought, Oxford: Oneworld, 1988.
