Shkolla teologjike e njohur si Esh'arijjeh është themeluar në Basra herët në shekullin katër hixhri /dhjetë nga Ebu'l-Hasan El-Esh'ari. El-Esh'ari ishte trajnuar në shkollën mu'tezilite nga njerku i tij dhe mësuesi i tij, teologu kryesor mu'tezilit Ebu Ali El-Xhubbai, por pak para vdekjes së këtij të fundit në 303 h./915 e.r. ai lajmëroi që kishte ndryshuar qëndrimet. Ai filloi të mësoi të ligjëronte llojin e tij të besimit, të bazuar në kthim te hadithi dhe traditat tjera islame, duke kritikuar mu'tezilet për largim nga ajo që ai e shihte si rrënjët islame. Në veçanti, në debatin e shpalljes hyjnore dhe arsyes që do të vazhdojë përgjatë shekujve përmes filozofisë e teologjisë islame, El-Esh'ariu insistonte në primatin e shpalljes hyjnore mbi arsyen.
El-Esh'ariu dhe pasuesit e tij nuk dalluan nga mu'tezilet në të gjitha fushat. Kishin pajtim, për shembull, rreth kozmologjisë, dhe Esharitët pranuan versionin atomistik të krijimit të shtruar nga mu'tezilet. Dallimet kryesore gjenden në natyrën e qenieve dhe diturinë e Zotit. El-Esh'ari mohonte që Zoti ka trup fizik, dhe pa këtë, Ai nuk mund të shihet ose njihet, së paku jo në këtë botë. Ngjashëm, vullneti i Zotit nuk mund të kuptohet tërësisht. Zoti nuk është nën obligim ndaj njerëzve për veprimet e tij, dhe ndonëse njerëzit janë përgjegjës për veprimet e tyre, është vullneti i Zotit ai që përcakton nëse këto veprime janë të mira ose të këqija.
Filozofia dhe teologjia e Esh'ariut nuk është gjithmonë e qartë, dhe shekuj të tërë komentuesish e interpretuesish kanë vazhduar të debatojnë se çka ka dashur të thotë. Megjithatë, Esh'aritët shpejtë u ngritën për t'u bërë shkolla kryesore e teologjisë në traditën sunite, dhe shumica e mendimtarëve të mëdhenj dhe filozofëve të gjeneratave pasuese kishin njëfarë trajnimi në teologjinë Esh'arite.
Përktheu:
Fatih Ibrahimi
Literaura:
Gimaret, D., La doctrine d'al-Ash'ari, Paris: Editions du Cerf, 1990.
Watt, W. Montgomery, The Formative Period of Islamic Thought, Oxford: Oneworld, 1988.
