Es'ad Efendi është lindur në Janja (Jannina). Data e saktë e lindjes nuk është e njohur. Ai ndërroi jetë në Stamboll në 1143 h./1730. Babai i tij ishte Aliu dhe gjyshi i tij Osmani. Ai i takon gjeneratës së dijetarëve grekë-muslimanë. Në Janinë, ai ndoqi kurset e Mehmed Efendiut, Muftiut të Janinës. Ai po ashtu u bë nxënës i Ibrahim Efendiut, një dijetar vendor i mirënjohur. Në 1098 h./1686, Es'ad Efendiu filloi shkollimin në Medrese në Stamboll. Në medrese, së bashku me shkencat islame si kelam dhe fikh, ai mjeshtëroi shkencat racionale si logjika, filozofia, matematika dhe astronomia. Gjuha e tij amtare ishte greqishtja[1], por ai ishte njohës i mirë i turqishtes, arabishtes, latinishtes dhe persishtes. Pas diplomimit në medrese, Es'ad Efendi u caktua si profesor (myderris) në Süleyman Ağa Medresesi në 1111 h./1699. Deri në 1132 h./1720 ai dha mësim në medrese të ndryshme të Stambollit, dhe pastaj u caktua gjykatës (kadi) në Galatë në 1138 h./1725. Ai ishte po ashtu anëtar i rendit Nakshibendi.
Për të sjellë një reformë në sistemin Osman të edukimit në shekullin e tetëmbëdhjetë, Damat İbrahim Pasha nga Nevshehir themeloi tri borde të përkthyesve të persishtes, arabishtes dhe greqishtes. Es'ad Efendi ishte kreu i bordit të greqishtes. Ai përktheu disa nga veprat e Aristotelit nga greqishtja në arabishte. Në përkthimin e tij të Aristotelit, Es'ad Efendi nganjëherë shtronte mendimet e tij dhe përmendte ato që i shihte si gabime të Ibn Rushdit. Për shkak të përkthimit të tij të Aristotelit, ai u bë i famshëm ndër dijetarët si mësuesi i tretë (mual-lim'uth-thalith). Studimet e tij të krishterizmit dhe judaizmit e bënë atë goxha të dalluar prej bashkëdijetarëve të tij.
Es'ad Efendi i shkroi të gjitha veprat e tij në arabishte. Kontributi më i rëndësishëm i tij ndaj mendimit islam është vepra e tij Et-Ta'lim'uth-Thalith, një përkthim në arabishte i komentimit dhe përmbledhjes në greqishte i Fizikës së Aristotelit nga Ioannis Kottinius. Kjo vepër ende nuk është edituar dhe botuar, ka vetëm dorëshkrim në biblioteka të ndryshme në Stamboll. Vepra tjetër e tij Terxhume Sherh'il-Enver, e cila është përkthim në arabisht i komentimit grek të Kottinius të veprës Kategoritë, Peri Hermeneias, Analytica Priora dhe Analytica Posteriora të Aristotelit. Kjo vepër po ashtu nuk është edituar ose botuar. Libri i tij, Er-Risalet'ul-Lahutijjeh, e cila po ashtu nuk është botuar, ofron prova për ekzistencën e Zotit. Ai po ashtu shkroi komente margjine (hashije) mbi Sherh el-hanefijje të el-Ixhit, e cila është titulluar el-Hashije fet'hijje ala el-sherh el-hanefijje li el-risale el-adudijje.
Përktheu:
Fatih Ibrahimi
Literatura:
Adıvar, A. Adnan, Osmanlı Türklerinde İlim (The Sciences in Ottoman Turkey), Istanbul: Remzi Kitapevi, 1970.
Sarıkavak, Kazım, Yanyalı Esad Efendi, Ankara: T.C. Kültür Bakanlığı Yayınları, 1997.
[1] Gjuha e tij amtare ishte shqipja, por autori ka konsultuar burime jo të qëndrueshme greke ose progreke. (redaksia)
